
Shkruan: Agim DESKU
Shkrimtarja Ana Tisi ka botuar librin për fëmijë “Përrallat e Ana Tisit”, i cili u prit ngrohtësisht nga lexuesit dhe kritika, duke u vlerësuar me çmimin “Martin Camaj” nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në Gjermani.
Anën e takuam për herë të parë në një aktivitet letrar, i cili u mbajt në ambientet e Kishës së Abrahamit në Llapushnik, aty ku reporteri i luftës së vitit 1999, Marin Sopi, raportonte për betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai, tashmë çdo vit, organizon aktivitete letrare kushtuar figurave të shquara kombëtare të artit dhe letërsisë. Ana kishte ardhur në këtë aktivitet së bashku me babain dhe vëllain e saj, ndërsa pas përfundimit të manifestimit shkëmbyem libra poetikë.
Miqësia me Anën u thellua më pas në qytetin e saj të lindjes, Beratin, ku ajo më 27 janar 2025 themeloi Klubin Letraro–Artistik “Në Gjurmët e Dodonës”, duke marrë edhe detyrën e Presidentes së tij, në bashkëpunim me një grup artistësh e artdashësish.
Që prej krijimit, klubi ka pasur si mision promovimin e letërsisë, muzikës dhe artit, si dhe forcimin e lidhjes së komunitetit me trashëgiminë shpirtërore e kulturore. Një veçori e tij është prezantimi i rubrikave të rregullta në rrjetet sociale, ku paraqiten personalitete që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në letërsi, art, muzikë e humanizëm.
Në muajin mars 2025, klubi organizoi konkursin e parë poetik me rastin e 8 Marsit – Ditës së Gruas, me pjesëmarrjen e 44 poetëve nga të gjitha trojet shqiptare. Unë mora pjesë me poezinë “Xhublëta”, e cila u vlerësua me çmimin e dytë nga juria profesionale. Ceremonia solemne e shpërndarjes së çmimeve u mbajt më 17 mars 2025 në Bibliotekën e Qytetit të Beratit “Vexhi Buharaja”, duke shënuar edhe daljen e parë publike të klubit.

Në qershor 2025, klubi zhvilloi konkursin e parë muzikor për fëmijë, “Dodona Festival”, ku morën pjesë 46 talente të vegjël në piano dhe violinë nga e gjithë Shqipëria. Aktiviteti u mbajt në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”, Berat, dhe u prit me entuziazëm të madh nga publiku.
Më tej, në shtator 2025, Klubi shpalli konkursin e parë të eseve me temë “Nënë Tereza: jeta, vepra dhe misioni i saj”, ku morën pjesë gjimnazistë, shkrimtarë e studiues nga Berati, Kuçova dhe më gjerë. Nga gjithsej 37 ese të dorëzuara, ndërsa çmimin special “Dodona” e fitoi poetja Mervete Dragaj, e cila bashkë me mua përfaqësoi trevat tona në këtë aktivitet.
Ceremonia u mbajt më 5 shtator 2025, në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me praninë e studiuesve, shkrimtarëve, profesorëve, drejtuesve vendorë dhe ambasadorëve të Indisë e të Kosovës. Në këtë ngjarje u përurua gjithashtu edhe Shatorja në bronx e Nënë Terezës, vendosur me madhështi në bulevardin kryesor të qytetit të Beratit – një dhuratë e çmuar e klubit për qytetin e themelimit të tij.
Në harkun e më pak se një viti nga themelimi, Klubi Letraro–Artistik “Në Gjurmët e Dodonës”, nën vizionin e presidentes Ana Tisi, ka sjellë një sërë aktivitetesh të spikatura duke bashkuar poetë, muzikantë, shkrimtarë, gjimnazistë, studiues dhe diplomatë.
Sot, klubi është shndërruar në një qendër të rëndësishme kulturore, me synimin për të edukuar brezat, për të forcuar frymën e bashkëpunimit dhe për të lënë gjurmë të qëndrueshme në jetën artistike dhe letrare të vendit.
Në vazhdimësi të aktiviteteve, klubi ka si qëllim edukimin e brezave, afrimin e artistëve me njëri-tjetrin dhe krijimin e një fryme bashkëpunimi me të gjithë faktorët socialë, politikë dhe ekonomikë.
Shtator,2025 Pejë