Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga liderët evropianë që të rrisin përkushtimin ndaj Ballkanit Perëndimor dhe të investojnë më shumë në parandalimin e veprimeve destabilizuese të Serbisë.
Duke folur në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), në një tryezë të fokusuar në siguri, Osmani theksoi se siguria e Evropës është e pandashme nga ajo e rajonit.
“Siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, Evropa duhet të përqendrojë vëmendjen e saj në këtë rajon, duke investuar në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, si hap kyç për një siguri të qëndrueshme dhe afatgjatë,” u shpreh Osmani.
Presidentja e Kosovës paralajmëroi se neglizhimi i Ballkanit mund të hapë hapësirë për rritjen e ndikimit të aktorëve që synojnë të minojnë paqen dhe stabilitetin në kontinent.
Samiti i EPC-së në Kopenhagë ka mbledhur liderë nga mbi 40 shtete evropiane për të diskutuar mbi sfidat e sigurisë, energjisë dhe mbrojtjes së demokracive evropiane përballë kërcënimeve të reja.