Organizata Kombëtare e Inteligjencës së Turqisë (MIT), në bashkëpunim me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit dhe Drejtorinë e Policisë së këtij qyteti, ka arrestuar një person të dyshuar për spiunazh në shërbim të MOSSAD-it, shërbimit sekret izraelit.
I arrestuari është identifikuar si Serkan Çiçek, i cili sipas hetimeve kishte pranuar të kryente aktivitete spiunazhi kundër një aktivisti palestinez në Turqi, kritik ndaj politikave të Izraelit në Lindjen e Mesme.
Kontakti me agjentin e MOSSAD-it
Hetimet e MIT zbuluan se Çiçek kishte hyrë në kontakt me Faysal Rasheed, pjesëtar i Qendrës së Operacioneve Online të Izraelit. Rasheed, duke u prezantuar si punonjës i një firme ligjore jashtë vendit, e kontaktoi Çiçek-un përmes WhatsApp-it më 31 korrik 2025.
Ai i kërkoi të kryente një mision katërditor vëzhgimi ndaj një aktivisti palestinez në lagjen Başakşehir të Stambollit, duke i ofruar 4,000 dollarë në kriptovalutë. Pagesa u krye më 1 gusht 2025.
Nga biznesmen i falimentuar te “detektiv privat”
Sipas autoriteteve, emri i vërtetë i Çiçek është Muhammet Fatih Keleş. Ai e kishte ndryshuar identitetin pasi ishte zhytur në borxhe nga biznesi i tij tregtar. Në vitin 2020, ai themeloi një agjenci private hetimi me emrin Pandora Detectives. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, ai u njoh me Musa Kuş (tashmë i dënuar me 19 vite burg për spiunazh në favor të Izraelit) dhe avokatin Tuğrulhan Dip, me të cilët bashkëpunoi për mbledhjen e të dhënave personale për përfitime financiare.
Dështimi i misionit
Çiçek shkoi në adresën e dhënë nga agjenti i MOSSAD-it për të mbledhur informacione mbi aktivistin palestinez, por nuk arriti të lokalizonte objektivin. Për shkak të dështimit të tij, më 3 gusht 2025, Rasheed ndërpreu komunikimin me të.
Pas operacionit të përbashkët, Çiçek u arrestua nga autoritetet turke dhe po përballet me akuza të rënda për spiunazh./A2 News