Një grua ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në shtëpinë e saj në komunën e Dragashit.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në dhomën ku viktima po qëndronte në momentin e shpërthimit.
Sipas Policisë së Kosovës, mjeku në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës, ndërsa trupi i saj është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Raportohet se viktima, femër kosovare, ka mbetur pa shenja jete – dyshohet si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në dhomën e shtëpisë ku kishte qenë duke qëndruar. Njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Lidhur me rastin është informuar prokurori, me urdhërin e të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.

