Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se marrëveshja për Gazën nuk do të ishte e mundur nëse Shtetet e Bashkuara nuk do ta kishin sulmuar Iranin.
Gjatë fjalimit të tij në Knesset më herët gjatë ditës, Trump la të kuptohej se është i gatshëm për një marrëveshje të re me Iranin, duke theksuar se vendi “dëshiron të negociojë”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe në Sharm el-Sheikh, ku në deklaratat e përbashkëta me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, ai u shpreh:
“Mendoj se Irani do të bëjë një marrëveshje. Ata janë lënduar. Kanë qenë nën shumë sanksione, dhe kanë nevojë për ndihmë.”
Trump shtoi se sanksionet e ashpra dhe goditjet ndaj programit bërthamor iranian kanë qenë vendimtare për këtë zhvillim:
“Sinqerisht, nëse nuk do t’i kishim goditur për çështjen bërthamore, nuk mendoj se do të kishim këtë marrëveshje të jashtëzakonshme, që ndodh një herë në jetë.”
Ai gjithashtu përmendi se Teherani ka reaguar pozitivisht, duke e mbështetur marrëveshjen:
“Irani ka lëshuar një deklaratë ku thotë se e mbështet këtë marrëveshje me gjithë zemër.”
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kyç për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, teksa bisedimet për stabilizimin e situatës në Gaza janë në fazë të ndjeshme.