Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë në protestën që do të zhvillohet më 17 tetor në orën 17:00 në sheshin Skënderbej në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila thekson se kjo protestë do të jetë një akt solidariteti për ata që luftuan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Pjesëmarrja e Edi Ramës i jep protestës një tjetër peshë politike, duke shënuar herën e parë që një kryeministër shqiptar i bashkohet një proteste publike në mbështetje të të akuzuarve nga Gjykata Speciale e Hagës. Kujtojmë se një ditë më parë përmes një postimi në rrjete sociale Edi Rama u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që ti bashkohen protestës.
Krahas Ramës i pranishëm do të jetë edhe ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu i cili do të mbajë fjalim. Kështu ka bërë të ditur Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati në konferencën për media.
Përkrahje kanë dhënë edhe përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare në Shqipëri. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi), deklaroi se Bektashinjtë do të jenë në protestë në mbështetje të atyre që “luftuan për liri dhe paqe”.
“Siç e dimë, të premten do të zhvillohet një protestë kundër dënimit të atyre që u sakrifikuan për atdheun. Luftëtarët e UÇK-së meritojnë përkrahje. Ne si Bektashinj do të jemi aty, me zemër e shpirt, derisa drejtësia të vihet në vend”, u shpreh Baba Mondi.
Edhe Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja, konfirmoi praninë e tij në protestë.“Ne mbështesim çdo luftëtar të lirisë, çdo njeri që dha gjithçka për një Kosovë të lirë. Thërras të gjithë myslimanët të jenë të pranishëm në protestë. Edhe unë vet do të jem aty”, deklaroi Myftiu Teqja