Mediumi serb “Danas”, ka shkruar më 14 tetor se “edhe pse përfaqësuesit politikë të komunitetit serb po kthehen në udhëheqjen e katër komunave në veri të Kosovës, ende nuk ka serb në prokurori, polici dhe institucione të tjera të braktisura, as nuk mund të përdorin shërbimet e shumta të institucioneve që u mbyllën gjatë vitit të kaluar”.
Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve lokale në Kosovë, përfaqësuesit e komunitetit serb, më saktësisht Lista Serbe, do të kthehen në udhëheqjen e katër komunave në veri të Kosovës ku serbët janë shumicë, shkruan Danas.
Gjatë dy viteve e gjysmë të kaluara, serbët nuk kanë qenë në pushtet në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut sepse zyrtarët, së bashku me serbët e punësuar në institucione të tjera shtetërore të Kosovës, vendosën të largohen nga pozicionet e tyre.
“Pas kësaj, u shpallën zgjedhjet për kryetar komunash për ato katër komuna, të cilat u bojkotuan nga serbët, gjë që çoi në fitoren e kandidatëve shqiptarë që fituan vetëm disa qindra vota”, vazhdon mediumi serb.
Tutje shkruan se Asociacioni i komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë kërkesa kryesore.