Balje: Kam vetëm një kërkesë, nuk bëj pazare politike për mbështetjen ndaj Qeverisë së re

by Nexhat

Deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje, ka deklaruar se ende nuk është kontaktuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për ndonjë takim lidhur me formimin e qeverisë së re.

Ajo ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar dhe se e vetmja kërkesë është formimi i Komunës së Boshnjakëve.

banner

“Jo hala nuk më kanë kontaktuar askush. Kërkesën e njëjtë e kam, kurrgja s’kam ndryshu, qysh ka qenë në takimin e parë, kështu ka me qenë edhe tash. Nuk besoj që kam me ndërru ndonjë qëndrim edhe ata e dinë shumë mirë”, ka deklaruar Balje në një intervistë për IndeksOnline.

Deputetja ka treguar se është befasuar kur ka dëgjuar se zv.kryeministrja Emilia Rexhepi ka biseduar me Kurtin për nisjen e procedurave për formimin e komunës së Boshnjakëve.

“Dy ditë para zgjedhjeve kam dëgju se zv.kryeministrja Emilia Rexhepi ka folë me kryeministrin Kurti se është tani gati të fillojë procedurat për Komunën e Boshnjakëve. Kur e kam dëgjuar këtë jam befasur, sepse kur kam folë me kryeministrin ka qenë shumë kundër,” ka shtuar ajo.

Balje ka nënvizuar se nuk është e gatshme të bëjë pazare politike për mbështetje ndaj Qeverisë së re.

“Unë nuk du me bo pazare, nuk jam për kurgjo, vetëm për formimin e komunës së Boshnjakëve,” ka theksuar deputetja boshnjake

Sipas Kushtetutës, nëse Qeveria nuk arrin të marrë shumicën e votave në Kuvend, presidentja duhet që brenda 10 ditësh të mandatojë një kandidat tjetër. Nëse dështon edhe tentativa e dytë, presidentja është e obliguar të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e tyre.

Aktualisht, kanë mbetur edhe 11 ditë deri në përfundimin e afatit 15-ditësh, brenda të cilit duhet të paraqitet për miratim përbërja dhe programi i Qeverisë së re.

Për ta formuar Qeverinë, Albin Kurtit i nevojiten të paktën 61 vota. Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka 48 deputetë. Përkrahje ka nga shtatë deputetë të komuniteteve joserbe dhe nga deputeti Nenad Rashiq.

Megjithatë, mbështetja e deputetes boshnjake Duda Balje, e atij egjiptian Veton Berisha dhe e deputetit goran Adem Hoxha, ende nuk është e sigurt. Kjo e bën të domosdoshme për Vetëvendosjen sigurimin e të paktën edhe pesë votave shtesë për të formuar shumicën parlamentare.

Në Vetëvendosje kanë lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe me parti të tjera, përfshirë Nismën Socialdemokrate. Megjithatë, negociatat e mëhershme me Nismën, e cila ka tre deputetë, nuk kanë prodhuar marrëveshje, pasi partia kishte kërkuar që kryetar i Kuvendit të propozohej kryetari i saj, Fatmir Limaj.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy