Ende nuk është përcaktuar afati ligjor për mbajtjen e fushatës elektorale për komunat që do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor. Analistët politikë vlerësojnë për Radio Kosovën se partitë politike nuk do të japin premtime të reja, prandaj fushata elektorale për balotazh nuk do të duhej të zgjaste më shumë se 10 ditë.
Qytetarët janë lodhur me fushata të stërzgjatura, thotë për Radio Kosovën analisti politik Dritëro Arifi. Ai vlerëson se zgjedhjet lokale kanë një koncept tjetër dhe janë më të fokusuara në tema përmbajtjesore.
Sipas tij, për balotazh, më shumë se gjashtë ditë fushatë do të ishte e tepërt, pasi qytetarët tashmë i kanë dëgjuar premtimet e partive.
“Praktikisht nuk çon peshë, sepse qytetarët që janë orientuar, tashmë e dinë se çfarë presin. Ata nuk kanë për të shpikur premtime të reja – janë po ato që kanë dhënë më herët. Prandaj, më mirë që fushata të jetë më e vogël, sa më e koncentruar dhe sa më e shpejtë, sepse jemi duke lëvizur me hapa të breshkës dhe jo me shpejtësinë e ditës, për të arritur një standard më normal për mirëqenien e qytetarit. Qytetari duhet të jetë në fokus të çdo fushate, dhe jo e kundërta”, dekalroi Arifi.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani, duke folur për Radio Kosovën, thotë se nuk pret premtime të reja nga partitë politike për të marrë udhëheqjen e komunave. Ai vlerëson se fushata e balotazhit nuk duhet të zgjasë më shumë se 10 ditë, pasi vizioni dhe programet e partive tashmë janë të qarta.
“Nuk pres ndonjë ndryshim në atë që do të thonë partitë politike në balotazh. Më shumë ndoshta do të flitet për ata qytetarë që ende nuk janë përcaktuar se kë do të votojnë. Por unë mendoj se më e drejtë do të ishte që të ketë vetëm 10 ditë fushatë, dhe aty të jepen qëndrime politike për tema të ndryshme, apo ndonjë çështje që nuk është trajtuar më herët, për t’u dhënë qytetarëve mundësinë që të informohen më mirë”, tha Burjani.
Bazuar në të dhënat e fundit nga uebfaqja e KQZ-së, PDK shkon në balotazh në Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri.
LDK shkon në balotazh në Prishtinë, Pejë, Junik, Dragash, Viti dhe Obiliq.
AAK shkon në balotazh në Gjakovë, Rahovec, Klinë, Suharekë dhe Junik, ndërsa VV në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Kaçanik, Fushë-Kosovë, Obiliq, Viti dhe Vushtrri.
Lista Serbe ka fituar 9 komuna me shumicë serbe në raundin e parë, por kryeson në balotazh në Kllokot, e vetmja komunë me shumicë serbe që nuk u fitua drejtpërdrejt