Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për protestën që do të zhvillohet më 17 tetor në Sheshin “Skënderbej” nw Tiranw, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, Spiropali e cilëson protestën si një akt të përbashkët kundër padrejtësisë që, sipas saj, po i bëhet luftës çlirimtare të Kosovës dhe figurave të saj kryesore.
“Në këtë shekull të shqiptarëve, liria nuk mund të jetë e plotë me pranga në duart e çlirimtarëve. Me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin në qeli, ndërgjegjja kombëtare nuk mund të jetë e qetë dhe padrejtësia do të ketë ende hise në hakun e shqiptarit”, thekson ajo.
Spiropali kritikoi qasjen e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si një përmbysje të së vërtetës historike dhe të parimeve të drejtësisë ndërkombëtare:
“Alkimia djallëzore e shndërrimit të heronjve të djeshëm të moralit dhe aleatëve euroatlantikë, në vrasës… është më shumë se kriminale. Ajo duhet të marrë fund ashtu siç nisi, menjëherë dhe pa kushte.”
Duke iu drejtuar shqiptarëve kudo që ndodhen, ministrja shqiptare nënvizoi rëndësinë e kësaj proteste si një moment uniteti dhe qëndrese:
“Në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë e kudo ku rreh zemra e shqiptarit, ne jemi bashkë në një thirrje e një besim: Liria ka emër! Liria ka emrin e çlirimtarëve të djeshëm dhe luftëtarëve të sotëm, që ndeshen për shumë më shumë se lirinë personale.”
Në fund të deklaratës, ajo u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen në protestën e së premtes.
“Të premten më 17 tetor, në sheshin ‘Skënderbej’. Shqiptarët bashkë për Lirinë! Për Drejtësinë! Për Kosovën!”