Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një konferencë për media është shprehur se rezultati final i zgjedhjeve në Drenas tregon se PDK i ka votat për Asamblenë Komunale.
I pyetur nga gazetarët nëse moskandidimi i Ramiz Lladrovcit nga PDK për kryetar komune ka qenë një gabim, Krasniqi theksoi se për partinë është më i rëndësishëm qytetari sesa individët.
“E para, vendimet që i merr një parti politike bazohen në statut dhe në rregulla të cilat secila parti i miraton për vete, dhe ne kemi marrë vendime të tilla për secilin kandidat. Nuk kemi fituar gjithkund, kështu që e njëjta pyetje mund të shtrohet për çdo komunë ku nuk kemi fituar. Është i rëndësishëm rezultati final, dhe ky rezultat tregon se Partia Demokratike e Kosovës aktualisht prin, sepse votat për asamble kanë përfunduar dhe ne jemi të parët. Për mua kjo është shumë e rëndësishme, sidomos në kontekstin aktual politik, meqë presim që zgjedhjet parlamentare, sipas të gjitha gjasave, të mbahen para vitit të ri.”
Krasniqi komentoi edhe mbi veprimet e Lladrovcit pas procesit zgjedhor:
“E dyta, me sa kam kuptuar, Lladrovci do të kthehet në zyrat ku ka qenë më herët, por zyrat janë aty ku është kryesia legjitime e partisë. Unë mendoj se gara atje ka përfunduar, dhe fokusi ynë tani është në balotazh. Normalisht që do ta trajtojmë situatën pasi të përfundojë ky proces zgjedhor, sepse në fund, për ne, më e rëndësishme është qytetari i Drenasit sesa individët apo ambiciet e kujtdo qoftë”, u shpreh ai./EO