Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka shkuar në Kuvend për të takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Takimi me Kurtin vjen pas atij që pati me presidenten Vjosa Osmani në Presidencë.
Von der Leyen po e takon Kurtin në sallën e Kuvendit dhe jo në zyrën e tij pas vendimit të BE-së që takimet me të të mos mbahen në objektin qeveritar deri në formimin e një qeverie me mandat të plotë.
Njoftimin për këtë vendim Qeverisë në detyrë të Kosovës ia kishte përcjellë më 8 gusht ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav, i cili iu kishte kumtuar se zyrtarët e BE-së nuk do të zhvillonin takime në ndërtesën qeveritare derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.
Sipas letrës së dërguar, vendimi mor pas “aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit” që shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi argumentoi se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Shefja e BE-së erdhi në Prishtinë nga Beogradi, ndërsa pas përfundimit të vizitës këtu do të niset drejt Shkupit.
“Presidentja e KE-së do të mbajë konferenca për shtyp dhe fjalime gjatë gjithë turneut të saj”, ka njoftuar BE, por nuk dihet saktë se kur do ta mbajë një të tillë në Prishtinë.
