Një ditë pasi Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar, presidentja Vjosa Osmani mandatoi të nominuarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e shkurtit, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re.
Osmani sot u pyet se a pret qeveri të re shpejt pas zvarritjes me muaj të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Duke e potencuar rolin e saj si presidente, Osmani tha se nuk e di “ku kanë arritur” negociatat potenciale në mes të partive politike për formimin e qevrisë së re.
“Nga data që është nominuar janë 15 ditë dhe natyrisht që afatet rrjedhin, mirëpo negociatat për koalicione bëhen vetëm në mes partive apo në rastin konkret mund të bëhen edhe me deputetë, por janë diskutime mes partive politike që si presidente nuk do të duhej të ndërhyja. Rrjedhimisht unë nuk mund ta di se deri ku kanë arritur ato negociata potencialisht, por janë çështje që besoj se më shumë informata mund t’iu japin partitë politike të involvuara”, tha ajo sot para gazetarëve.
Sidoqoftë, Kurti vetë dje e konfirmoi se as që i ka nisur ato meqë po ka “shumë punë” me zgjedhjet lokale.
“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende që t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë”, tha Kurti dje.
Afatin e fundit për prezantimin e qeverisë së re në Kuvend, Kurti e ka më 26 tetor.