I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, ka reaguar pas protestës gjithëkombëtare të mbajtur këtë të premte në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në paraburgimin e Hagës.
Në një postim në rrjetin social X (ish-Twitter), Grenell u shpreh ashpër ndaj Gjykatës Speciale, duke e akuzuar për mungesë kontrolli dhe për zbatimin e një drejtësie selektive.
“Haga është jashtë kontrollit. Kjo është ajo që ka bërë Jack Smith,” – ka shkruar Grenell, duke iu referuar ish-prokurorit special që ngriti aktakuzën ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Jack Smith kishte dhënë dorëheqjen nga Prokuroria Speciale për Kosovën në nëntor të vitit 2022.
Protesta e sotme në Sheshin “Skënderbej” mblodhi mijëra qytetarë nga mbarë trojet shqiptare, nën moton “Liria ka emër”, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-krerëve të UÇK-së.
Grenell, që prej fillimit të procesit gjyqësor në Hagë, ka kritikuar vazhdimisht ndjekjen penale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke theksuar se burgosja e tyre është e padrejtë dhe politikisht e motivuar.
“Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund,” – kishte deklaruar më herët ai, duke i bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare të rishikojnë qasjen ndaj çështjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, si dhe të bashkëluftëtarëve të tij Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Aktakuza ndaj tyre pretendon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat mbështetësit i cilësojnë si akuza të pabazuara dhe të padrejta.