Ndërsa mijëra shqiptarë u mblodhën sot në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zgjodhi të mos reagojë për këtë ngjarje gjithëkombëtare.
Në vend të një qëndrimi për protestën “Liria ka emër”, Kurti publikoi një postim në Facebook, ku foli për rritjen e fuqisë së pasaportës së Republikës së Kosovës në Indeksin e Pasaportave Henley.
“Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë… dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë,” – shkroi Kurti, duke nënvizuar se Kosova është ngjitur nga vendi i 108-të në vitin 2021 në vendin e 65-të këtë vit.
Postimi i tij erdhi në të njëjtën ditë kur shqiptarët nga mbarë trojet shprehën mbështetjen për çlirimtarët, të cilët ndodhen në paraburgimin e Hagës nën akuza të diskutueshme për krime lufte.
Mungesa e një reagimi nga ana e kreut të qeverisë kosovare ka ngjallur komente dhe kritika në opinin, pasi shumë qytetarë konsiderojnë se një drejtues i shtetit do të duhej të shprehej për protestën që u zhvillua në mbështetje të figurave që kanë qenë themel i shtetësisë së Kosovës.
Në një ditë me simbolikë të fortë për kombin shqiptar, postimi i kryeministrit për pasaportën u pa nga disa si shenjë e distancës së qeverisë nga ndjenjat kombëtare që bashkuan qytetarët në Tiranë.