Artistja kosovare, Albana Ejupi, ka hapur ekspozitën e saj personale “In Between” në zemër të skenës së artit bashkëkohor të Vjenës, në prestigjiozen Lukas Feichtner Galerie.
Ekspozita paraqet një dialog unik artistik, ku Ejupi ndërthur pikturën dhe skulpturën, duke eksploruar kufijtë mes materialitetit dhe trupit. Elementi qendror dhe më domethënës i veprave të saj është rëra e sjellë direkt nga Kosova, të cilën artistja e përdor si simbol të origjinës, kujtesës dhe procesit të transformimit.
Sipas vetë artistes, seria “In Between” jeton pikërisht në këtë hapësirë ndërmjetëse: mes pikturës dhe skulpturës, imazhit dhe objektit.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të lartë diplomatikë, përfshirë i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, si dhe ambasadori i Shqipërisë, Fate Velaj, të cilët shprehën mbështetjen e plotë për krijimtarinë e Ejupit.
Albana Ejupi, e cila aktualisht po ndjek studimet e doktoraturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë, po afirmohet si një zë i rëndësishëm i artit bashkëkohor kosovar në diasporë. Ambasada e Kosovës e vlerësoi aktivitetin si një dëshmi të angazhimit për të fuqizuar prezencën kulturore të Kosovës në skenën ndërkombëtare të artit.