Aksionari në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht pas publikimeve në media lidhur me çështjen e transferimit të aksioneve të kompanisë VIA. Në një deklaratë për opinionin publik, Pacolli ka akuzuar noteren Vjollca Selimi për veprime të dyshuara të kundërligjshme, të cilat, sipas tij, janë bërë në mënyrë të fshehtë dhe pa dijeninë e palës ligjore.
“Gjithë përfoljet dhe kjo situatë në lidhje me VIA ka ardhur si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe të dyshuara të kundërligjshme të noteres Vjollca Selimi, të ndërmarra në mënyrë të fshehtë dhe në mungesë të plotë të palës së ligjshme,” ka deklaruar Pacolli.
Sipas tij, njoftimet e publikuara në media se palët kanë qenë të pranishme gjatë nënshkrimit të aktit të transferimit të aksioneve nga “MABCO Construction SA” në shoqërinë “2A” janë të pavërteta.
“Me këtë rast, sqaroj publikisht se as unë dhe as ndonjë person i autorizuar nga MABCO Construction SA, me seli në Lugano – pronare e 98% të aksioneve që rrjedhin nga investimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës – nuk kemi qenë ndonjëherë në zyrën e saj, nuk e kemi takuar noteren Selimi, nuk kemi pasur asnjë komunikim me të apo me përfaqësues të saj dhe nuk kemi nënshkruar asnjë dokument apo prokurë në praninë e saj. Madje, deri më sot, nuk kemi dijeni se ku ushtron aktivitetin e saj noterial,” theksoi Pacolli.
Ai ka shtuar se në një akt noterial të vitit 2023, që noterja Selimi e ka përdorur në mënyrë joligjore si pjesë të dokumentacionit për transferimin e pronës, janë përfshirë deklarime të rreme.
“Sipas këtij akti, noterja pretendon se unë, Behgjet Pacolli, paskam qenë fizikisht i pranishëm në zyrën e saj, ajo paskësh kryer identifikimin tim, më paskësh lexuar aktin në prani të një përkthyeseje të gjuhës angleze dhe, pas miratimit tim, paskam nënshkruar dokumentin përkatës. Këto pretendime janë plotësisht të rreme,” ka theksuar ai.
Pacolli ka nënvizuar se nuk e njeh noteren Selimi dhe nuk ka pasur asnjëherë kontakt me të.
“Unë nuk e njoh noteren Selimi, asnjëherë nuk kam nënshkruar ndonjë akt në prezencën e saj, nuk kam qenë asnjëherë në zyrat apo ambientet e saj, nuk kam dijeni për ekzistencën e një përkthyeseje të tillë dhe asnjë tekst nuk më është lexuar apo paraqitur ndonjëherë për nënshkrim nga ajo ose nga ndonjë përfaqësues i saj në lidhje me aktet e përmendura,” theksoi biznesmeni.
Në vijim, Pacolli e cilëson këtë akt noterial si “element themelor të një veprimtarie të dyshuar të kundërligjshme” që, sipas tij, është ndërmarrë nga Valon Lluka dhe bashkëpunëtorët e tij.
“Sipas informacioneve që kemi, në fillim të prillit është tentuar të realizohet transferimi i 47% të aksioneve, duke e mbajtur atë të fshehur deri në momentin kur është zbuluar rastësisht, katër muaj më vonë, më 18 gusht 2025, në dokumentacionin e ish-administratorit të shoqërisë VIA. Ky akt i kryer në mënyrë të fshehtë përbën burimin dhe shkakun fillestar të kësaj situate me të cilën po përballemi sot,” ka përfunduar Pacolli.