Kombëtarja shqiptare e futbollit po përjeton një prej periudhave më të ndritshme në historinë e saj. Pas sigurisë së një vendi në Kampionatin Europian, ekipi i drejtuar nga trajneri Sylvinho ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm: kualifikimin për herë të parë në “Play Off”-in e Kupës së Botës.
Fitorja minimale 0–1 ndaj Andorrës jo vetëm që vulosi matematikisht vendin e dytë në grup dhe biletën për fazën vendimtare të Botërorit, por solli edhe një tjetër arritje historike. Për herë të parë, Shqipëria regjistron pesë fitore radhazi, një seri që dëshmon qartë rritjen dhe stabilitetin e skuadrës. Kjo ecuri përfshin triumfet ndaj Gjibraltarit, Letonisë, Serbisë, Jordanisë dhe së fundmi, Andorrës.
Ndërkohë, kuqezinjtë përgatiten për sfidën e radhës, një duel prestigjioz ndaj Anglisë më 16 nëntor. Pavarësisht vështirësive të pritshme, rezultati i kësaj sfide nuk do të ndikojë në pozicionimin e Shqipërisë, e cila tashmë e ka siguruar kualifikimin në “Play Off”.
Forma e shkëlqyer dhe fryma e lartë në skuadër kanë rritur optimizmin se rrugëtimi i kuqezinjve mund të shkojë edhe më larg, duke ushqyer ëndrrën e pjesëmarrjes në Kupën e Botës.

