Edhe këtë të mërkurë, qytetarët e Prishtinës po përballen me mungesën e plotë të transportit publik, pasi linjat e Trafikut Urban dhe operatorëve privatë kanë pezulluar qarkullimin për shkak të bllokadës financiare që ka goditur Komunën e Prishtinës.
Stacionet e autobusëve në kryeqytet që nga orët e hershme të mëngjesit duken të boshatisura, ndërsa banorët detyrohen të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar, shpesh duke u përballur me vonesa dhe kosto më të larta.
Situata ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te qytetarët, të cilët thonë se mosfunksionimi i transportit publik po u vështirëson jetën e përditshme, veçanërisht atyre që varen nga autobusët për të shkuar në punë, shkollë apo për nevoja tjera esenciale.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës dhe Qeveria në detyrë, përkatësisht Ministria e Financave, vazhdojnë t’ia adresojnë fajin njëra-tjetrës për mosalokimin e buxhetit të kryeqytetit, duke e lënë qytetin në një ngërç administrativ që po rëndon mbi shërbimet publike.
Nuk dihet se kur pritet rikthimi i transportit publik, ndërsa qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj pasojave të kësaj krize institucionale.

