Çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë kanë pësuar rritje drastike gjatë vitit të fundit, duke e bërë koston e jetesës pothuajse të papërballueshme për shumë qytetarë. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), por edhe verifikimet në terren, tregojnë se disa produkte bazë janë dyfishuar ose afruar dyfishimit të çmimit.
Sipas ASK-së, çmimi i një pakete me 30 vezë është rritur nga 2.88 euro në tetor të vitit të kaluar, në 3.82 euro këtë tetor – një rritje prej rreth 90%. Megjithatë, verifikimi në markete gjatë nëntorit ka zbuluar se çmimi ka shkuar deri në 5.45 euro, shumë më lart sesa mesatarja zyrtare.
Shtrenjtim të ndjeshëm ka pësuar edhe vaji ushqimor. Nga 1.47 euro për litër në tetor 2024, çmimi mesatar ka arritur në 1.66 euro këtë vit, ndërsa në tregjet aktuale varion nga 1.69 deri në 1.95 euro.
Rritje të theksueshme ka edhe çmimi i mishit të pulës. Nga 4.08 euro kilogrami, çmimi ka shkuar në 4.64 euro sipas ASK-së, ndërsa në markete gjatë nëntorit është shitur deri në 5.35 euro. Edhe më i thellë është shtrenjtimi i mishit të gjedhit: nga 9 euro për kilogram vitin e kaluar, në 10.87 euro këtë tetor, ndërsa aktualisht në treg çmimi arrin deri në 13.80 euro.
Kosto më e lartë është regjistruar edhe për qumështin, orizin, kafenë dhe çajin.
ASK ka sqaruar dallimet mes çmimeve zyrtare dhe atyre në terren, duke theksuar se të dhënat e tyre bazohen në mesatare kombëtare nga pika të ndryshme shitjeje, dhe jo në çmimet e veçanta të marketeve të mëdha.
Ndërkohë, qytetarët po ndiejnë rëndë pasojat e kësaj krize. Sabit Klinaku nga Prishtina thotë se rritja e çmimeve është bërë e pakontrollueshme:
“Gjithçka është shtrenjtuar, të paktën 100% krahasuar me vitin e kaluar. Vetëm me pension nuk përballohet më jeta.”
Edhe Sokol Avdiu ndan shqetësime të ngjashme, duke thënë se pagat aktuale nuk mbulojnë dot koston e jetesës:
“Për të jetuar normalisht duhen të paktën 1000 euro në muaj. Çmimet janë dyfishuar e trefishuar – nga pemët te perimet.”
Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, rreth 45% e të punësuarve marrin pagë nga 350 deri në 600 euro. Vetëm 118 mijë persona në vend marrin pagë mbi 800 euro, një shumë që qytetarët e intervistuar e shohin si minimumin për të përballuar shtrenjtimet.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se çmimet e ushqimeve dhe energjisë janë faktorët kryesorë të inflacionit në vendet e Evropës Lindore e Juglindore, përfshirë Kosovën. Ndërsa një hulumtim i kompanisë “Valicon” tregon se rritja e kostos së jetesës është shqetësimi kryesor për 70% të qytetarëve të vendit.

