Costa i kundërvihet hapur Uashingtonit: “Evropa nuk merr urdhra për vizionin e saj”

by engel

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të reflektojë seriozisht mbi strategjinë e re të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, duke nënvizuar se realitetet e aleancave globale kanë ndryshuar ndjeshëm.

Gjatë një fjalimi në Paris, Costa tha se Evropa duhet të ndërtojë një vizion të vetin strategjik, duke marrë parasysh faktin se marrëdhëniet mes aleatëve pas Luftës së Dytë Botërore nuk janë më të njëjtat.

banner

Ai kundërshtoi komentet në dokumentin amerikan që sugjerojnë censurë të lirisë së shprehjes në Evropë dhe se po shihet një “rritje e ndikimit patriotik evropian”.

“Ajo që nuk mund të pranojmë është çdo tentativë për ndikim në jetën politike evropiane. SHBA-të nuk mund të vendosin për Evropën, as për partitë që qytetarët tanë duhet të zgjedhin”, u shpreh Costa.

Ai shtoi se liria e shprehjes në Evropë nuk mund të vihet në pikëpyetje nga aktorë të jashtëm dhe theksoi domosdoshmërinë e lirisë së informacionit si themel i çdo shoqërie demokratike.

Costa kritikoi gjithashtu ndikimin e gjigantëve amerikanë të teknologjisë, duke deklaruar se mbrojtja e interesave të kompanive nuk mund të shkojë në dëm të të drejtës së qytetarëve evropianë për informim të lirë.

Duke folur për sigurinë dhe mbrojtjen, ai bëri thirrje për përshpejtimin e përpjekjeve të BE-së për riarmatosje dhe për rritje të autonomisë strategjike.
“SHBA-të janë një aleat dhe partner i rëndësishëm ekonomik, por Evropa duhet të sigurojë sovranitetin e vet, përfshirë edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, u shpreh ai.

Strategjia e re e SHBA-ve, e publikuar javën e kaluar, e përshkruan Evropën si një kontinent të mbingarkuar me rregullore, përballë censurës, mungesës së vetëbesimit dhe kërcënimit të “zhdukjes së civilizimit” për shkak të emigrimit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy