Megjithë premtimet e qeverisë për “disiplinim” të prokurimit publik dhe luftë kundër abuzimeve, të dhënat e fundit tregojnë një realitet krejt tjetër: ankesat në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) po rriten me ritme alarmante.
Arbër Kabashi nga Iniciativa për Progres (INPO) bëri të ditur se vetëm deri më 11 dhjetor 2025 në OSHP janë dorëzuar 1,164 ankesa, një shifër që ekspozon probleme të thella dhe të vazhdueshme në menaxhimin e proceseve të prokurimit nga institucionet publike.
Sipas Kabashit, kjo rritje tregon qartë se sistemi nuk po funksionon siç premtohet dhe se dështimet nuk mund t’i faturohen vetëm OSHP-së. Përkundrazi, ato zbulojnë mangësi strukturore në vetë institucionet që iniciojnë aktivitetet e prokurimit, të cilat—siç doli nga diskutimi—vazhdojnë të prodhojnë vendime të kontestuara dhe të dobëta.
“OSHP po përballet me problemet e njëjta ndër vite. Kohëzgjatja e trajtimit të ankesave është vetëm simptomë. Problemet e vërteta lidhen me performancën e ulët të institucioneve që po e dërgojnë sistemin drejt bllokadës,” tha Kabashi.
Tarifat u dyfishuan, por ankesat u shtuan
Qeveria kishte ndryshuar rregulloren, duke rritur tarifën e ankesës nga 5 mijë në jo më pak se 10 mijë euro, me arsyetimin se kështu do të parandalohej paraqitja e ankesave të pabazuara apo të orkestruara.
Por efekti i vërtetë ka qenë i kundërt.
Kabashi tha se gjatë vitit 2024, 10.9% e aktiviteteve të prokurimit përfunduan me ankesë. Ndërsa vetëm një vit më vonë, në 2025, ky numër u rrit në 13.7%, pavarësisht tarifës dyfish më të lartë.
“Rritja e tarifës nuk e ka pasur efektin e premtuar. Përkundrazi, numri i ankesave ka vazhduar të rritet. Problemi nuk është te ankuesit, por te mënyra se si po menaxhohen aktivitetet e prokurimit,” theksoi Kabashi, duke nënvizuar se rritja e tarifave nuk e zgjidh problemin e korrupsionit të mundshëm, por vetëm e rëndon barrën për operatorët ekonomikë.
Pasqyra e një sistemi që po degradon
Shifrat e prezantuara nga INPO vënë në pah dështimet e qeverisë për të garantuar një sistem të qëndrueshëm dhe transparent të prokurimit publik—një prej sektorëve më të ekspozuar ndaj keqpërdorimeve.
Rritja e ankesave, bllokimi i procedurave, mosbesimi i operatorëve dhe rritja e tarifave pa efekt janë simptoma të një zinxhiri problemesh që qeveria deri më tani ka dështuar t’i adresojë në mënyrë efektive.
INPO e prezantoi këtë situatë gjatë publikimit të raportit “Pavarësia dhe efektiviteti i OShP-së: ndërmjet zbatimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit”, organizuar në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2025”.
Ndërkohë, mbetet përgjegjësi e qeverisë të japë llogari pse sistemi vazhdon të degenerojë, pavarësisht rregulloreve të reja, tarifave të rritura dhe deklaratave të vazhdueshme për “luftë kundër korrupsionit”.

