Ruzhdi Shehu sot është betuar për mandatin e dytë në krye të Komunës së Junikut.
Ceremonia u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal, në praninë e të ftuarve, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të Junikut.
“Z. Shehu rifitoi drejtimin e komunës në zgjedhjet e balotazhit, duke siguruar bindshëm besimin e shumicës së votuesve. Gjatë ceremonisë, krahas kryetarit, betimin e dhanë edhe anëtarët e rinj të Asamblesë Komunale, të cilët zyrtarizuan mandatin e tyre si përfaqësues të Kuvendit Komunal të Junikut”.
Në fjalimin e tij, Shehu u zotua për përkushtim ndaj qytetarëve dhe zhvillimit të komunës dhe tha se mandatin e dytë do ta udhëheqë “me nder, transparencë dhe llogaridhënie, gjithmonë në shërbim të interesit të qytetarëve”.
“Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për Junikun, duke ruajtur vlerat tona dhe duke sjellë zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, tha ndër të tjera kryetari Shehu.
Shehu vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

