Atentati që tronditi mërgatën shqiptare: 44 vjet nga vrasja e vëllëzërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

by engel

17 janari i vitit 1982 shënon një nga ngjarjet më të rënda në historinë e rezistencës shqiptare në mërgim. Në këtë datë, në një atentat të organizuar në Gjermani, u vranë Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zeka, veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare.

Edhe pas 44 vjetësh, kjo ditë mbetet e gjallë në kujtesën kolektive, jo vetëm për familjarët e tyre, por edhe për të gjithë ata që ishin të lidhur shpirtërisht dhe organizativisht me veprimtarinë e tyre politike.

banner

Atentati ndodhi në Untergruppenbach të Gjermanisë. Autoritetet gjermane njoftuan atëkohë se tre shtetas jugosllavë ishin vrarë nga persona të panjohur, duke e cilësuar ngjarjen si pjesë të një lufte të fshehtë mes shërbimeve sekrete jugosllave dhe kundërshtarëve politikë të regjimit. Pas kroatëve në ekzil, Beogradi kishte shtrirë goditjet edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës që vepronin jashtë vendit.

Ngjarja ndodhi në momentin kur Bardhosh Gërvalla po nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar mbrapsht drejt udhëkryqit. Në kushte moti me borë, pas vetëm rreth 40 metrash, automjeti u ndal pasi nga një kantier ndërtimi në anën e djathtë, një person hapi zjarr nga afërsia. Një sulmues i dytë iu afrua makinës për t’u siguruar se atentati kishte përfunduar me sukses.

Fqinjët, të tronditur nga krismat, panë dy burra duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Vetura mbeti e ndezur, pasi këmba e Bardhoshit kishte mbetur mbi pedalin e gazit, duke vazhduar lëvizjen derisa u përplas me një garazh. Bardhoshi ndërroi jetë në timon, ndërsa pas përplasjes motori u fik.

Policia gjermane gjeti në vendin e ngjarjes Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, të goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën të vrarë me dy plumba dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, rëndë të plagosur, i cili më vonë ndërroi jetë.

Revista gjermane Der Spiegel, në numrin e 25 janarit 1982, shkruante se identifikimi i shpejtë i viktimave kishte sqaruar edhe motivin politik të krimit: shqiptarë nga Kosova, në ekzil, të njohur për veprimtarinë e tyre kundër regjimit të Beogradit. Edhe për autorët e atentatit pati dyshime të hershme.

Sipas dëshmive policore, Jusuf Gërvalla, ende në jetë pas plagosjes, i kishte pëshpëritur policisë: “Ka qenë UDB-ja”.

Mbi tre veprimtarët ishte qëlluar 12 herë me armë të kalibrit 7.65, ku dhjetë plumba kishin goditur pjesë vitale të trupit. Një polic në vendngjarje e përshkroi skenën si “një ekzekutim të mirëfilltë”. Sipas ekspertëve të sigurisë, kjo ishte një metodë tipike e shërbimeve sekrete, e projektuar për të mos lënë asnjë mundësi mbijetese.

Atentati ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës konsiderohet kulmi i përplasjeve të përgjakshme mes shërbimit sekret jugosllav dhe kundërshtarëve politikë shqiptarë në mërgatë, duke mbetur një plagë e hapur dhe një simbol i sakrificës për liri.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy