Gjermania kërkon të ruajë të drejtën për pagesa me para në dorë

by engel

Edhe pse pagesat digjitale po bëhen gjithnjë e më të përhapura, Gjermania po përballet me një debat të gjerë shoqëror dhe politik mbi ruajtjen e pagesave me para në dorë. Sipas një ankete të zhvilluar në tetor 2025 me 1,000 qytetarë gjermanë, rreth 30 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se gjatë gjashtë muajve të fundit nuk kanë mundur të paguajnë me para të gatshme në kafene apo dyqane, pasi kjo formë pagese nuk ishte e mundur.

Një studim i Bundesbank tregon se edhe në institucione shtetërore, si gjatë lëshimit të dokumenteve të identitetit, pagesat me para në dorë nuk pranohen gjithmonë. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë dyqane po heqin dorë nga paratë e gatshme, ndërsa arkat me vetëshërbim në supermarkete zakonisht pranojnë vetëm karta bankare. Në sektorin e shitjes me pakicë, nga rreth 710 mijë arka gjithsej, afërsisht 40 mijë janë tashmë arka me vetëshërbim, krahasuar me vetëm 16 mijë në vitin 2023.

banner

Vështirësitë nuk kufizohen vetëm në tregti. Pagesa e biletave të transportit publik, gjobave të parkimit apo hyrjeve në pishina shpesh nuk mund të bëhet me para në dorë ose kërkon procedura shtesë.

Kush preket më së shumti nga zhdukja e parasë së gatshme?

Në të njëjtën kohë, qasja në para të gatshme po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi bankomatët po hiqen gradualisht dhe alternativat, si tërheqja e parave në arkat e supermarketeve, nuk janë të disponueshme kudo dhe jo gjithmonë falas. Ky problem është veçanërisht i theksuar në zonat rurale, ku qytetarët duhet të udhëtojnë distanca të gjata për të siguruar para të gatshme.

Paratë e gatshme mbeten thelbësore për fëmijët, të moshuarit, personat pa llogari bankare dhe ata që kanë vështirësi me teknologjinë digjitale. Gjithashtu, njerëzit në kushte të vështira jetësore, si personat me borxhe apo të pastrehët, shpesh nuk kanë alternativë tjetër pagese përveç parasë së gatshme.

Praktike për bizneset, por problematike për qytetarët

Për tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve, pagesat pa para në dorë konsiderohen më praktike, pasi reduktojnë rrezikun e vjedhjes dhe ulin kostot operative. Megjithatë, mbyllja e degëve bankare dhe heqja e bankomatëve e kanë bërë depozitimin e parasë së gatshme më të vështirë dhe më të shtrenjtë për bizneset.

Ekspertët paralajmërojnë se ky zhvillim krijon një rreth vicioz: sa më pak qasje në para të gatshme, aq më shumë pengesa për konsumatorët. Nëse ky trend vazhdon, paratë e gatshme mund të humbasin funksionin e tyre si mjet pagese, siç ka ndodhur në vendet skandinave, veçanërisht në Suedi, ku rreth 80 për qind e blerjeve kryhen në mënyrë digjitale dhe bankomatët janë pothuajse të zhdukur.

Apel për ligj që mbron paratë e gatshme

Më 29 janar 2026, 14 organizata shoqërore dhe të konsumatorëve në Gjermani i bënë thirrje qeverisë federale që të miratojë një ligj për mbrojtjen e parasë së gatshme. Në apel thuhet se ligjvënësi duhet të garantojë pranimin e përgjithshëm të parasë së gatshme dhe qasje falas e pa pengesa për të gjithë qytetarët.

Apelin e kanë nënshkruar organizata të mëdha, përfshirë shoqatat e kishave Ungjillore dhe Katolike, Shoqatën Federale të Mbrojtjes së Konsumatorëve, Fondin Gjerman të Fëmijëve dhe organizatat e pensionistëve. Sipas tyre, pagesa me para në dorë lidhet edhe me të drejta themelore individuale, të garantuara nga Kushtetuta gjermane.

Avantazhe dhe rreziqe

Organizatat theksojnë se paratë e gatshme janë të domosdoshme në raste krizash, si sulmet kibernetike, ndërprerjet e energjisë apo fatkeqësitë natyrore, pasi funksionojnë pa internet dhe energji elektrike. Ato mbrojnë privatësinë dhe ndihmojnë në kontrollin e shpenzimeve personale, por nga ana tjetër mund të lehtësojnë ekonominë informale dhe transaksionet anonime.

BE ndërmerr hapa për forcimin e parasë së gatshme

Në fund të nëntorit, Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së arritën një marrëveshje për një paketë ligjesh që synon të lehtësojë qasjen në para të gatshme, veçanërisht në zonat rurale. Sipas këtyre rregullave, qytetarët do të mund të tërheqin deri në 150 euro në arkë në dyqane edhe pa kryer blerje, duke synuar ruajtjen e parasë së gatshme si një mjet i rëndësishëm pagese në Evropë./DW

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy