Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU “Gjakova” ka njoftuar se të mërkurën, më 11 shkurt 2026, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të qytetit të Gjakovës, si pasojë e intervenimeve në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja do të zgjasë nga ora 08:00 deri në 15:00 dhe do të prekë rrugët: “Tranzite”, “Mbretëresha Teutë”, “Musa Zajmi”, “Ali Pashë Tepelena”, “Petro Nini Luarasi” dhe “Bihije Dashi”, përfshirë edhe rrugët anësore të tyre.
Nga KRU “Gjakova” bëhet e ditur se ndërprerja e furnizimit vjen si pasojë e vazhdimit të punimeve në Rrugën Tranzite, projekt i cili po realizohet si bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe vetë kompanisë së ujësjellësit. Sipas njoftimit, operatori i kontraktuar ka arritur në fazën e realizimit të lidhjeve kryesore të ujësjellësit.
Për shkak të rëndësisë dhe kompleksitetit të këtyre lidhjeve, veçanërisht në zonën e Pallatit të Sporteve, te Pompa IP Petrol, si dhe në afërsi të objektit të Gjykatës, ndërprerja e përkohshme e furnizimit me ujë është vlerësuar si e domosdoshme.
KRU “Gjakova” ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve të prekur, duke theksuar se punimet janë në funksion të përmirësimit të rrjetit dhe të cilësisë së shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm.

