Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar lidhur me sjelljen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ndaj gazetares së mediumit Betimi për Drejtësi, Shpresa Hasimi.
Sipas Kusarit, incidenti i ndodhur para disa ditësh, ku Hasimi i parashtroi pyetje profesionale Muhaxherit për një çështje me interes publik, dëshmon për një qasje të papranueshme dhe denigruese ndaj gazetarëve. Ajo e vlerësoi gazetaren për profesionalizmin dhe guximin e treguar, duke theksuar se sjellja e saj përbën shembull pozitiv në gazetari.
Kusari kritikoi ashpër reagimin e Muhaxherit, i cili, sipas saj, iu drejtua gazetares me fjalë nënçmuese dhe refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve, duke e mbyllur bisedën në mënyrë demonstrative.
Duke e vendosur rastin në një kontekst më të gjerë politik, Kusari tha se qasja e tillë nuk është e izoluar, por lidhet me mënyrën se si Lidhja Demokratike e Kosovës trajton mediat. Ajo përmendi edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të cilin tha se përdor gjuhë përjashtuese ndaj mediave dhe se është ndër politikanët që i bojkoton më së shumti ato nga radhët e opozitës.
Megjithëse e mban Lëvizja Vetëvendosje përgjegjëse për rënien në indeksin e lirisë së medias dhe për, siç u shpreh ajo, sulmet dhe denigrimet ndaj gazetarëve ndër vite, Kusari shtoi se është e bindur që edhe LDK-ja, nëse do të ishte në pushtet, do të ndiqte të njëjtën qasje ndaj mediave.
“Shumë keq”, përfundon reagimi i saj, duke shprehur shqetësim për klimën e përgjithshme të raportit mes politikës dhe mediave në vend.

