Avokati Fetahu: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është plotësisht në përputhje me Kushtetutën

by engel

Avokati Faton Fetahu ka vlerësuar se dekreti i presidentes në largim Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është në përputhje të plotë me dispozitat kushtetuese dhe rrjedhojë e drejtpërdrejtë e mosrespektimit të afateve për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në një analizë të publikuar në rrjetet sociale, Fetahu thekson se procesi për zgjedhjen e presidentit ka dështuar brenda afatit të përcaktuar kushtetues, konkretisht jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale.

banner

Sipas tij, është po ashtu fakt i pakontestueshëm se afati 60-ditor për zhvillimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit, i paraparë me nenin 82 paragrafi 3 të Kushtetutës, ka filluar të rrjedhë më 5 janar dhe ka përfunduar më 5 mars 2026.

Fetahu argumenton se, përderisa presidenti nuk është zgjedhur brenda këtyre afateve, mekanizmi kushtetues aktivizohet automatikisht dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

“Për pasojë, dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i dështimit për ta zgjedhur presidentin sipas afateve të përcaktuara, është plotësisht kushtetues”, ka theksuar ai.

Sipas interpretimit të tij juridik, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga momenti i shpalljes së tyre, në përputhje me procedurat zgjedhore.

Avokati Fetahu është i njohur për përfshirjen e tij në disa procese kushtetuese gjatë viteve të fundit, ku ka përfaqësuar Partinë Demokratike të Kosovës në disa raste para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, një pjesë të konsiderueshme të të cilave i ka fituar.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy