Kryeveprat e “vjedhura”, kur arti i grave mbante firma burrash

by Nexhat

Për shekuj me radhë, kanoni i historisë së artit është diktuar nga një vështrim mashkullor, duke i lënë gratë artiste në hije, të papaguara dhe, shpeshherë, të pafirmosura. Sot, një lëvizje e re globale po nxjerr nga depot e muzeve vepra madhështore që dikur i atribuoheshin gabimisht burrave. Ekspozita e fundit në Akademinë Mbretërore të Londrës mbi Michaelina Wautier është vetëm maja e ajsbergut të një “rizbulimi” që po trondit botën e artit.

Mitet e “gjenialitetit mashkullor”

banner

Në qendër të këtij debati është piktura epike “Triumfi i Bakusit” (1655-59). Për qindra vite, kuratorët supozonin se kjo tablo nuk mund të ishte pikturuar kurrë nga një grua, për shkak të përmasave dhe kompleksitetit të saj. Meritat i mori i vëllai, Charles Wautier. Vetëm në vitin 1993, historiania Katlijne Van der Stighelen vërtetoi se Michaelina Wautier jo vetëm që ishte autorja, por kishte guxuar të pikturonte veten me gjoks të zhveshur brenda tablosë, si një sfidë ndaj kohës.

Hija e Caravaggio-s dhe Frans Hals

Historia e Artemisia Gentileschi është ndoshta më dramatikja. Veprat e saj, të ngarkuara me tension emocional dhe dhunë heroike femërore, u atribuoheshin për shekuj babait të saj, Orazio, ose mjeshtrit Caravaggio. Vetëm në vitin 2017, “Autoportreti si Shën Katerina” u njoh zyrtarisht si i saj, duke i kthyer dinjitetin njërës prej fitimtareve më të mëdha të barokut.

Ngjashëm, Judith Leyster, një yll i epokës së artë holandeze, u fshi nga historia pasi tregtarët e artit zbuluan se veprat e saj shiteshin më shtrenjtë nëse mbanin firmën e Frans Hals. Në vitin 1892, zbulimi i inicialeve të saj “JL” të fshehura nën një firmë të rreme të Hals, zbuloi mashtrimin shekullor që synonte thjesht fitimin financiar mbi kurrizin e talentit femëror.

Nga Dadaizmi te Gjyqi i “Syve të Mëdhenj”

Edhe lëvizjet moderne nuk shpëtuan nga ky fenomen. Baronesha Elsa von Freytag-Loringhoven, pionierja e guximshme e Dadaizmit, mbeti në varfëri ndërsa vepra e saj “Zoti” (1917) i atribuohej Morton Schamberg. Studiuesit sot ngrenë dyshime të forta se edhe urinari i famshëm i Marcel Duchamp mund të ketë qenë ide e saj.

Rasti më i afërt në kohë është ai i Margaret Keane në vitet ’60. Bashkëshorti i saj, Walter, u bë i famshëm botëror duke shitur pikturat e saj me fëmijë me sy të mëdhenj si të tijat. Margaretës iu desh një përballje epike në gjykatë, ku pikturoi një vepër live në më pak se një orë, ndërsa Walter refuzoi duke u ankuar për “dhimbje shpatulle”, për të vërtetuar autorësinë para botës.

Pse ndodhi kjo?

Historiania Linda Nochlin argumenton se kjo nuk ishte mungesë talenti, por mungesë mundësish. Gratë përjashtoheshin nga shkollat e artit dhe vizatimi i modeleve nudo. Kur ato ia dilnin të krijonin kryevepra, tregu i artit preferonte një emër mashkullor për të rritur vlerën në ankand.

Sot, me gratë që përbëjnë vetëm 1% të koleksionit në Galerinë Kombëtare të Londrës, rruga drejt barazisë mbetet e gjatë, por firmat e “fshehura” po dalin më në fund në dritë.

/rtsh.al/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy