Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është duke u angazhuar për gjetjen e një pajtueshmërie politike për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Kurti është duke vazhduar angazhimin e tij dhe unë besoj që në ditët e mbetura të arrihet një pajtueshmëri dhe të gjendet zgjidhje për zgjedhjen e presidentit… Jo vetëm ne, por edhe qytetarët presin të gjendet zgjidhje dhe të votohet presidenti në Kuvend, sepse një palë zgjedhje të reja jo vetëm se janë të panevojshme, por edhe të padrejta dhe nuk do të sjellin rezultat të ri”, ka thënë ajo.
Nagavci duke folur për seancën e Kuvendit të Kosovës që do të mbahet këtë të premte, tha se janë dakorduar pikat e rendit të ditës në mbledhjen e sotme.
“Ka dakordim për pikat e rendit të ditës, për Gjykatën Kushtetuese dhe pikat e tjera ishin të përcaktuara tashmë. Ndërkohë pika lidhur me Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe vendimi i Qeverisë në lidhje me dërgimin e forcave stabilizuese janë miratuar në komisionet funksionale dhe do të shqyrtohen në seancën e ditës së premte”, tha ajo.
“Komisioni funksional ka propozuar gjashtë emra, janë ata që janë poentuar më së shumti në intervistë. Ndërkohë Kuvendi nga këta gjashtë emra, do t’i vendosë dy emra për Gjykatën Kushtetuese”, tha Nagavci

