E ardhmja e Ernest Muçi vijon të mbetet e paqartë në Turqi, në një moment kyç për karrierën e tij.
Trabzonspor nuk ka shfrytëzuar ende opsionin për blerjen përfundimtare të kartonit të sulmuesit shqiptar, ndërsa një vendim zyrtar pritet në ditët në vijim.
Situata e lojtarit po ndiqet nga afër edhe nga Beşiktaş, klub që zotëron të drejtat e tij.
Sipas raportimeve të mediave turke, drejtuesit e Beşiktaş po analizojnë të gjitha skenarët e mundshëm për të ardhmen e Muçit, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit të tij në skuadër.
“Nëse opsioni për blerjen nuk aktivizohet, lojtari mund të rikthehet dhe të merret sërish në konsideratë për ekipin”, raportojnë burime pranë klubit.
Vetëm pak ditë më parë, mediat lokale sugjeronin se 23-vjeçari nuk bënte pjesë në planet e ardhshme të skuadrës, çka dëshmon për luhatjet e vazhdueshme në tregun turk të transferimeve.
Ndërkohë, Muçi nuk ka qenë aktiv në fushë për rreth një muaj me Trabzonsporin, për shkak të një dëmtimi të pësuar pas rikthimit nga angazhimet me Kombëtaren shqiptare.
Megjithatë, rikuperimi i tij i plotë pritet shumë shpejt, duke rritur pritshmëritë për rikthimin në fushë dhe sqarimin e së ardhmes së tij.

