Belgjika ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kombeve, pasi e mposhti Italinë me rezultat bindës 4-1 në Bruksel.
Italianët e nisën më mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi në minutën e 10-të me Pio Espositon, pas një aksioni të bukur të nisur nga Michael Kayode.
Megjithatë, Belgjika reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 14-të me Maxim De Cuyper, i cili shfrytëzoi një top të kthyer në zonë.
Përmbysja e vendasve u kompletua në minutën e 25-të, kur Nathan Ngoy shënoi pas një goditjeje nga këndi të Kevin De Bruynes. Vetëm pesë minuta më vonë, Jeremy Doku realizoi një gol të bukur individual, duke kaluar mes disa mbrojtësve italianë dhe duke e dërguar topin në rrjetë për 3-1.
Italia tentoi të rikthehej në lojë në pjesën e dytë, por nuk arriti të gjente golin, ndërsa Belgjika vazhdoi të rrezikonte. Diego Moreira e vulosi fitoren në minutën e 80-të, pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga Doku dhe De Bruyne.
Në minutat shtesë, Italia pati mundësinë të shënonte nga penalltia, por Senne Lammens e ndali goditjen e Espositos.
Me këtë fitore, Belgjika siguroi çerekfinalen e Ligës së Kombeve për herë të parë që nga edicioni 2020/21. Në anën tjetër, Italia ra nga vendi i parë në të tretin në Grupin A1 dhe do të luajë në plejofin për promovim ose rënie nga Liga A.

