Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique e ka bërë një deklaratë të fortë para ndeshjes së madhe në Champions League, duke e theksuar besimin e plotë te skuadra e tij dhe duke e hedhur poshtë idenë e favoritëve.
Duke folur në konferencën për shtyp, trajneri spanjoll u shpreh se përballja ndaj Bayern Munichut në gjysmëfinale të kësaj gare nuk ka një skuadër të qartë favorite, por njëkohësisht theksoi se nuk e sheh asnjë ekip më të mirë se PSG.
“Nuk ka favoritë. Mendoj se jemi dy nga skuadrat më të mira në Evropë. Në aspektin e rregullshmërisë, Bayerni ka qenë pak më i qëndrueshëm, por në nivel skuadre ne jemi sipër. Nuk ka asnjë ekip më të mirë se ne. E kam thënë edhe më herët dhe e përsëris,” deklaroi Luis Enrique, përcjell “Gazeta Express”.
Ai shtoi se Bayern Munichu ka treguar stabilitet më të madh gjatë sezonit, por kjo nuk e ndryshon besimin e tij te PSG, të cilin e sheh në të njëjtin nivel ose më lart se çdo rival tjetër në Evropë.
Trajneri i PSG-së theksoi gjithashtu se ndeshja do të vendoset nga detajet, duke paralajmëruar një duel shumë ofanziv mes dy skuadrave që e preferojnë futbollin sulmues dhe me intensitet të lartë.
“Jemi dy skuadra shumë ofanzive. Çelësi do të jetë si mbroheni dhe si sulmojmë në momentet e duhura”, shtoi ai.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur PSG-ja është në një tjetër sezon ambicioz në Champions dhe synon ta arrijë finalen, ndërsa Bayerni mbetet një nga rivalët më të fortë të turneut.

