Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka akuzuar opozitën për bllokim të proceseve politike dhe refuzim të vazhdueshëm të çdo propozimi të partisë së saj.
Sipas saj, secilit propozim të LVV-së, opozita iu përgjigj me refuzim.
“Përpjekja jonë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe të panevojshme hasi në një bllokadë të pakapërcyeshme. Në vend të angazhimit konstruktiv, pamë vetëm refuzim dhe mungesë vullneti për zgjidhje””, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Madje, ajo pretendon se kontradiktat e opozitës dolën qartë në shesh.
“Nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe pamë refuzim ndaj propozimeve tona, refuzim për të marrë pjesë në votim, refuzim ndaj kandidatëve si Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, si dhe ndaj figurave konsensuale si dr. Feride Rushiti dhe prof. Hatixhe Hoxha. U refuzua edhe bashkëqeverisja, pozita e kryeparlamentarit dhe ajo e presidentit. U refuzua edhe vetë procesi për zgjedhjen e Presidentit”.
Ajo ka shtuar se situata aktuale po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja, për të cilat sipas saj, përgjegjësia bie mbi opozitën.
“Të dëshpëruar nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, po na çojnë edhe një herë drejt zgjedhjeve të reja. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë dhe qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre”.

