Në Apel, mbrojtja kërkon rigjykim për të akuzuarin për krime lufte, Shaqir Lutvija – Prokuroria vërtetimin e dënimit

by Nexhat

Në Gjykatën e Apelit të mërkurën është mbajtur seanca e kolegjit të gjyqtarëve në të cilën është elaboruar ankesa e mbrojtësve të të akuzuarit për krime lufte në Prizren, Shaqir Lutvija, avokatëve Jovana Fiipoviq dhe Nexhmendin Sejdiu ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila e ka dënuar me 10 vjet burgim Lutvijën, si dhe përgjigja në ankesë e Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit.

Kolegji u gjyqtarëve që gjykon këtë çështje në Apel, janë kryetari i kolegjit Ferit Osmani, gjyqtar referues Mentor Bajraktari dhe anëtare gjykatësja, Albina Shabani-Rama, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 nëntor 2025 e kishte shpallë fajtor dhe dënuar me 10 vjet burgim Lutvijën për krime lufte në Prizren.

Gjykatësi Bajraktari tha se ankesë ndaj vendimit të Themelores ka paraqitur mbrojtja e Lutvijës, kurse përgjigje në ankesë Prokuroria Speciale dhe Prokuroria Apelit përmes parashtresës.

Prezent për të elaboruar parashtresën e Prokurorisë së Apelit ishte prokurorja Sebahate Hoxha-Pepaj e cila tha se mbështetë përgjigjen në ankesë të Prokurorisë Speciale, e cila ka kërkuar që vendimi Themelores të vërtetohet, kurse ankesa e mbrojtësve të të akuzuarit të refuzohet.

Në anën tjetër për elaborim të ankesës së mbrojtjes prezantoi vetëm avokati Sjediu, i cili tha se në vendimin e shkallës së parë ka kundërthënie dhe se nuk është arritur të vërtetohet se i akuzuari Lutvija ka marrë pjesë në shkaktimin e lëndimeve tek të dëmtuarit.

Tutje, Sejdiu tha se nuk posedohet asnjë dokumentacion që vërteton lëndimet e rënda trupore që pretendojnë të dëmtuarit se u janë shkaktuar nga i akuzuari.

Sipas avokatit, qysh prej fazës së hetimeve të këtij rasti ka shkelje dhe më konkretisht te faza e identifikimi të Lutvijës nga ana e të dëmtuarve, duke potencuar e nuk janë respektuar standardet përkatëse ligjore për identifikim të të dyshuarve për një vepër penale.

Në fund, Sejdiu tha se Gjykata duhet të aprovojë ankesën, të ndryshohet vendimi shkallës së parë në favor të të akuzuarit Lutvija apo rasti të kthehet në rivendosje.

Në anën tjetër, vetë Lutvija mohoi se ka qenë pjesë e krimeve që pretendohen të jenë bërë, duke thënë se nuk ka qenë prezent dhe se po ngatërrohet me një person tjetër që po ashtu ka shenjë në fytyrë sikurse ai.

Të dëmtuarit Sefer Ejupi dhe Vehbi Velija thanë se i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe se nuk paraqesin kërkesë pasurore-juridike. Ndërkaq i dëmtuari tjetër, Fahredin Jakupi kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për Lutvijën.

“Çfarë kompensimi, kompensimi jem është ai, dënim të përjetshëm”, tha Jakupi.

Ndërkaq për mbrojtësin e Lutvijës, avokatin Sejdiu, i dëmtuari Jakupi tha se po e mbron “xhelatin” e Millosheviqit.

“Kqyre kanë e ka pru tash me mbrojtë, xhelatin e Millosheviqit, ky o njeri i Serbisë”, shtoi Jakupi.

Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.

Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.

Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy