Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se zgjedhjet drejt të cilave po shkon Kosova nuk do të prodhojnë asnjë zgjidhje.
Sipas tij, situata në Kosovë nuk ka qenë e tillë as në periudhën e presidentit Ibrahim Rugova që drejtonte vendin në kushte lufte dhe ekstreme.
Ai vuri në dukje se lidershipi i Kosovës nuk e ka ruajtur staturën e kompromisit politik që la pas Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi.
“Ati i Kosovës së re, presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova i cili me kalimin e kohës i ka ngritur një staturë vetes pikërisht për shkak të shtatit shumë të shkurtër politik të atyre që ka lënë pas, me disa përjashtime.
Në kushte ekstreme, në kushtet e pushtimit të Kosovës ishte aftë të ngrinte institucione paralele, të zhvillonte zgjedhje dhe mbi të ushtronte artin e mrekullueshëm të kompromisit. Nëse lexohet jetëshkrimi i presidentit Rugova këto ishin disa piketa që i vendosi që në Prishtinë janë marrë për vite me radhë si të mirëqena. Edhe Hashim Thaçi kur fitonte zgjedhjet shikonte mundësinë e kompromisit në zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Vangjeli.
Ai theksoi më tej se Kosova shkon “për herë të tretë në harkun e një viti hyn në zgjedhje të cilat dihet që nuk do të prodhojnë zgjidhje”.
“Ndërkohë sot Kosova për herë të tretë në harkun e një viti hyn në zgjedhje të cilat dihet që nuk do të prodhojnë zgjidhje. Në një ndeshje kur mungon kompromisi si rregull dhe jo si përjashtim fajin e ka më i forti”, tha Vangjeli.
Vangjeli shtoi më tej se ajo që po bën kryeministri Kurti është “që për shkrepësen e munguar të djegë të gjitha paketën e cigareve. Nuk po flas për jorganin e përvëluar apo për çatinë e kërcënuar të Republikës së Kosovës e cila nuk po qeveriset.”

