Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se në vazhdën e “hetimeve intensive” lidhur me rastin për mashtrim kompjuterik dhe në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane, është mundësuar identifikimi dhe sekuestrimi i pasurisë që dyshohet se është përfituar përmes veprimtarive kriminale.
Prokuroria tha se si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100,000 euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve.
Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, në veçanti të krimeve kibernetike.
Ndërkohë, Prokurori i çështjes do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

