Burim Meta, ish-këshilltar i Vjosa Osmani, në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe raportet me LDK.
Ai ka bërë të ditur se vendimet përfundimtare lidhur me bashkëpunimin dhe përfshirjen në LDK pritet të merren në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.
“Ne po kthehemi deri të shtunën, ku është Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, aty ku merret vendimi edhe për formën e bashkëpunimit edhe numrin e kandidatëve të cilët do të përfaqësojnë. Ne sillemi diku te 20 veta për listë, por nuk ka vendime të sakta dhe kjo dëshmon edhe një herë që ne jemi për bashkëpunim parimor për qëllime të Kosovës, në mirëfunksionalizim të institucioneve dhe largim nga ky ngërç institucional”, ka deklaruar Meta.
Ai shtoi se qëllimi i këtij bashkëpunimi është tejkalimi i krizës politike dhe rikthimi në një funksionim normal të institucioneve.
“Ne nuk do të garojmë të ndarë, por do të kthehemi në shtëpinë tonë dhe do të jemi në listën e LDK-së”, është shprehur ai.
Duke folur për pozicionin e tij aktual, Meta theksoi se vazhdon të jetë pjesë e ekipit të presidentes Osmani, ndërsa konfirmoi edhe synimin për rikthim në LDK.
“Statusi im është në ekipin e presidentes Vjosa Osmani dhe ne jemi rrugës për në LDK, natyrisht për të synuar përsëri pozitën e presidentes përmes LDK-së. Interesimi për t’u rikthyer dhe për të qenë pjesë e kësaj ideologjie është jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Meta.
Ai shtoi se Osmani pritet të ketë rol kyç në këtë proces.
“Ne do të jemi pjesë e LDK-së dhe natyrisht Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës, dhe kjo është pranuar shumë lehtë nga LDK”, ka deklaruar Meta.

