Dy grupe në konflikt të ashpër, të njohura si “Capat” dhe “Sekiraqët”, janë përballur në seancën fillestare gjyqësore lidhur me rastin që përfundoi me vrasjen e Premtim Gashit, më 1 shtator 2024.
Për shkak të tensioneve mes palëve, hyrja në sallë e shtatë të akuzuarve sot është bërë nën masa të rrepta sigurie dhe me ndarje të qartë mes tyre.
Në njërën anë janë vendosur të akuzuarit nga grupi “Capat”, ndërsa në anën tjetër ata nga grupi “Sekiraqët”.
Të akuzuarit kanë refuzuar që të dëgjojnë sërish aktakuzën, duke deklaruar se janë të informuar për përmbajtjen e saj. Megjithatë, ata kanë pranuar të deklarohen lidhur me fajësinë.
Katër të akuzuar nga grupi “Capat” – Korab Gashi, Valdrin Ademi, Erd Marevci dhe Vesel Bunjaku – janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale “vrasje në tentativë”.
Në anën tjetër, të akuzuarit nga grupi “Sekiraqët” nuk e kanë pranuar përgjegjësinë për vrasjen e Premtim Gashit, por kanë pranuar se kanë poseduar armë.
Madje, përfaqësuesi kryesor i kësaj familjeje, Salih Sekiraqa ka shprehur ankesa lidhur me aktakuzën.
Ndërkohë, dy të akuzuar të tjerë, Dardan Marevci dhe Endrit Llapashtica, ndodhen ende në arrati.
Për këtë arsye, procedura ndaj tyre është veçuar, pasi sipas gjykatës ende nuk janë plotësuar kushtet për zhvillimin e gjykimit në mungesë.

