Sivjet nikoqire e takimit ministror “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” do të jetë një shtet mosnjohës i pavarësisë së Kosovës – Sllovakia.
Megjithatë, Kosova është pjesëmarrëse e kësaj ngjarje, sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovakisë.
Takimi do të mbahet më 12 maj 2026 në Kështjellën e Bratisllavës dhe do të organizohet nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Europiane të Republikës Sllovake, Juraj Blanár.
“E konsideroj si një sinjal të rëndësishëm të mbështetjes sonë për Ballkanin Perëndimor faktin që, si ministër i Punëve të Jashtme dhe Europiane, kam mundësinë të pres takimin e parë ministror të Miqve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Sllovaki. Në këtë mënyrë, diplomacia sllovake riafirmon pozitën e Republikës sllovake si një partner i respektuar që prej kohësh ofron mbështetje të qëndrueshme dhe aktive për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian”, deklaroi Juraj Blanár.
Në njoftimin e MPJ’së sllovake thuhet: “Ngjarja do të mbledhë ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të grupit Miqtë e Ballkanit Perëndimor (Sllovakia, Çekia, Greqia, Kroacia, Austria, Sllovenia dhe Italia) si dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova*, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), së bashku me Komisioneren Europiane për Zgjerim, Marta Kos. Fjalën hapëse do ta mbajnë ministri sllovak i Punëve të Jashtme, Juraj Blanár dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Republikës Sllovake, Richard Raši. Drejtoresha Ekzekutive e International Visegrad Fund, Linda Kapustová Helbichová, do të prezantojë gjithashtu aktivitetet e fondit dhe mundësitë për bashkëpunim”.
Në fund të njoftimin, Ministria e Jashtme sllovake e shpjegon pozicionin e saj karshi Kosovës.
“Republika Sllovake nuk e njeh Kosovën si shtet dhe as pavarësinë e saj të shpallur në mënyrë të njëanshme, bazuar në rezolutën e Deklaratës së Këshillit Kombëtar të Republikës Sllovake të vitit 2007”, thuhet aty.
Sipas ministrit sllovak të Punëve të Jashtme, diskutimet do të përqendrohen në nevojën për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e koordinimit në procesin e zgjerimit të BE-së.
Pjesëmarrësit pritet të shkëmbejnë gjithashtu pikëpamje mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e sigurisë europiane ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe partnerëve nga Ballkani Perëndimor.
“Këto vende kanë pritur perspektivën e tyre europiane për dy dekada dhe shumë prej tyre tashmë kanë arritur përparim të konsiderueshëm përmes reformave të vështira. Ka ardhur koha që Bashkimi Europian t’u tregojë vendeve të Ballkanit Perëndimor se është serioz për integrimin e tyre europian”, theksoi ministri Juraj Blanár, duke shtuar se diplomacia sllovake ka përgatitur një propozim konkret për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, i cili do të prezantohet gjatë takimit ministror në Bratislavë.
Programi do të përfshijë një konferencë të përbashkët për shtyp nga ministri Juraj Blanár dhe Komisionerja Europiane Marta Kos, si dhe miratimin e Deklaratës së Bratislavës në mbështetje të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Iniciativa për grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” u propozua fillimisht nga ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg në vitin 2023 dhe për herë të parë u mbajt në Göttweig në Austri në qershor të këtij viti. Në po të njëjtin vend u mbajt edhe në vitin pasues, ndërsa në shkurt të 2025-ës nikoqire e këtij takimi ishte Roma e Italisë

