Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten, Vjosa Osmani, ditën e sotme, kanë takuar mësimdhënës në lagjen Dardania në Prishtinë.
Abdixhiku, ka thënë se gjatë takimit me ta, kanë diskutuar për shkollën e sfidat, dhe ka shtuar se, mësuesit, përveç dijes ndërtojnë edhe karakter, kulturë e qytetari.
‘’Kosova ka nevojë ta kthejë arsimin në prioritet të vërtetë kombëtar. Me më shumë mbështetje për mësimdhënësit, me kushte më të mira në shkolla dhe me dinjitetin që e meriton profesioni fisnik i mësuesit’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Postimi:
Kafen e mesditës e pimë në Dardani, me mësimdhënëse e mësimdhënës.
Me njerëzit e profesionit më fisnik, që çdo ditë, larg zhurmës e pa bujë, mbajnë mbi supe një nga përgjegjësitë më të mëdha të shoqërisë sonë, edukimin e brezave të rinj.
Folëm për shkollën, për sfidat e arsimit, për lodhjen e përditshme, por edhe për dashurinë që ata kanë për profesionin e tyre. Sepse mësuesi nuk ndërton vetëm dije. Ndërton karakter, kulturë, qytetari dhe të ardhmen e një vendi.
Folëm dhe për reformën e Jehonës, si model nacional i arsimit.
Kosova ka nevojë ta kthejë arsimin në prioritet të vërtetë kombëtar. Me më shumë mbështetje për mësimdhënësit, me kushte më të mira në shkolla dhe me dinjitetin që e meriton profesioni fisnik i mësuesit.
Sepse aty ku respektohet mësuesi, ndërtohet e ardhmja.

