Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, doli para gazetarëve për të njoftuar se ka dështuar mbledhja pasi Kuvendi njoftoi më herët për një ftesë për një mbledhje të Kryesisë.
Kuvendi i Kosovës u shpërbë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri dhe zgjedhjet e reja u caktuan më 7 qershor.
Haxhiu tha se edhe pse Kuvendi është i shpërndarë, ata kanë “obligim” për t’i trajtuar disa çështje.
“Kishim planifikuar një mbledhje të Kryesisë, ndonëse Kuvendi është i shpërndarë ne e kemi obligim si Kryesi e Kuvendit që t’i adresojmë disa përgjegjësi që i kemi para vetes, trajtimin e raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2025 dhe disa çështja tjera që janë obligime”.
Kësaj ftese nuk iu përgjigjen partitë e tjera. Ndërkaq, vetë Haxhiu iu referua vetes si kryetare e Kuvendit dhe tha se “anëtarët” tjerë të Kryesisë s’e arsyetuan te ajo mungesën, përveç bashkëpartiakut të saj, Ardian Gola.
“Por, siç po e shihni në këtë mbledhje isha vetëm unë dhe nënkryetarja e Kuvendit, Emilja Rexhepi dhe anëtarët tjerë s’ishin. Ardian Gola është jashtë vendit dhe për të tjerët, të paktën unë si kryetare e Kuvendit, nuk kam pasë informata për mungesën e tyre. Prandaj edhe si rezultat s’kemi pasë mundësinë që t’i trajtojmë çështjet e Kryesisë së Kuvendit. Ndoshta partitë janë të zëna me listat zgjedhore ndonëse afati ka qenë deri dje”, tha ajo.

