Hoxha: Shqipëria e vlerëson shumë miqësinë dhe partneritetin me Suedinë

by Nexhat

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka pritur sot në Tiranë delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Suedisë, të kryesuar nga Morgan Johansson.

Në një postim në rrjetin social ‘X’, ministri Hoxha theksoi se takimi ishte konstruktiv dhe shumë frytshëm.

banner

“Shpreha mirënjohjen time të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe për kontributin e çmuar që Suedia ka dhënë gjatë viteve në zhvillimin demokratik, institucional dhe socio-ekonomik të vendit tonë”, shkruan Hoxha.

Gjatë bisedimeve, palët shkëmbyen mendime mbi progresin e Shqipërisë në negociatat e integrimit europian, duke vënë theksin te ruajtja e momentit të reformave dhe avancimi në prioritetet kyçe, sidomos në sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe qeverisjen e mirë.

Ministri Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit për adresimin e sfidave rajonale e globale, si dhe angazhimin e Shqipërisë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Suedinë, thellimin e bashkëpunimit parlamentar dhe zgjerimin e partneritetit në fusha të interesit strategjik të përbashkët.

“Shqipëria e vlerëson shumë miqësinë dhe partneritetin me Suedinë dhe shpreh gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në funksion të një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe me vizion për të ardhmen”, përfundon ministri Hoxha

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy