Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat këtë të enjte, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të solidarizohen dhe t’u bashkohen studentëve në protestë, e cila sot ka hyrë në ditën e saj të tretë.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së i bëri sërish thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke theksuar se ai është tërësisht i pashpresë dhe se kjo është kërkesa ultimative e protestës studentore, opozitës dhe mbarë shqiptarëve.
“U bëj thirrje mjekëve, infermierëve që të solidarizohen me studentët. Ju jeni dëshmitarë se ku e katandisi narkoregjimin sistemin shëndetësor. Ndërgjegjja juaj profesionale nuk mund t’u lejojë ju të jeni kurrë as indiferentë, as edhe kundër studentëve.
Ndaj dhe, në këtë orë të historisë, çdo shqiptar midis narkoregjimit të urryer dhe studentëve, realisht liberatorë duhet të bëjë zgjedhjen e tij. Indiferenca është zgjedhja më e keqe. Ndaj bashkohuni me protestuesit. PD mbështet fuqishëm kërkesat e lëvizjes studentore. Dhe njëherë, i kërkon Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen. Është tërësisht i pashpresë.
Por në qoftë se i ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye njerëzore, të gjejë kurajë dhe të japë dorëheqjen. Të mos pësojë atë fat që diktatorët që nuk kanë dhënë dorëheqjen kanë pësuar nga verdikti, nga drejtësia e bërë nga qytetarët.
Jep dorëheqjen është kërkesa ultimative e protestës studentore, e opozitës shqiptare, e mbarë shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

