Shkruan: Dijana TOSKA
Për 35 vjet, ky shtet ndërtoi mekanizëma shantazhi.
Në vend që të ndërtonte demokraci funksionale, shteti ndërtoi një shoqëri kancerogjene, ku secili mban diçka për tjetrin dhe askush nuk guxon ta çojë deri në fund betejën me të keqen.
Sepse dosja është më e fuqishme edhe se vetë e vërteta.
Është vendosur mbi ligjin. Është bërë më legjitime se vota.Përdoret për kontroll dhe kështu dosjet u bënë valuta më e fortë politike.
Këto ditë dikush kërkoi nga kryeministri Mickoski hapjen e dosjeve.
Një kërkesë normale për një shtet normal demokratik.
Por, në një shoqëri të metastazuar, si kjo e jona, kjo nuk është aspak e lehtë, ku shumica e politikanëve mbijetojnë me dosje.
Organet e sigurimit shtetëror ndërtojnë dosje për shtetin. Partitë politike ndërtojnë dosje për rivalët. Nëntoka ndërton dosje për pazare. Dikush inçizon. Një tjetër fotografon. Ka edhe të atillë që ruajnë sekrete për momentin e duhur.
Dhe kështu, dalëngadalë, i gjithë aparati shtetëror fillon të funksionojë me politikanë që mbahen peng nga dosjet.
Prandaj ky shtet ecën në vend, po mbijeton disi, por nuk po mund të reformohet, sepse pengu pret radhën e dosjes së tij.
Dosja dhe pengu nuk ndërtojnë shtet…
E kaluara na ka dëshmuar se dosjet në Ballkan rrallëherë kanë shërbyer për ta dënuar dikë.
Zakonisht kanë shërbyer për të kontrolluar, për të ruajtur ekuilibrin e frikës, për t’i kujtuar dikujt se deri ku lejohet të flasë.
Dhe pikërisht për këtë arsye, në këtë rajon vazhdojnë të mbijetojnë shtete me sisteme të kalbura.
Mickoski ndoshta nuk ka guximin t’i hapë dosjet shtetërore.
Ndoshta është ende herët për një shtet që vazhdon të jetojë me frikëra historike, konflikte identitare dhe probleme të pazgjidhura fqinjësore.
Por pyetja tjetër është më e rëndë:
Pse mbahen “ad acta” dosjet në prokurori për rivalët politikë dhe për politikanët shqiptarë?
Pse krimet financiare, përfitimet joligjore dhe pasurimet marramendëse të disa politikanëve e biznesmenëve milionerë mbeten të ngrira në sirtarët e drejtësisë?
Nuk mund të ndërtohen përjetësisht marrëveshje politike mbi pazare që prekin të drejtat e shqiptarëve, ndërkohë që status quo-ja vazhdon të ushqehet si industri politike, duke i mbajtur të drejtat pezull, jo për t’u zgjidhur, por për t’u përdorur sa herë duhen vota, koalicione apo pazare pushteti.
Për këto mekanizma, kohë më parë, ka folur publikisht edhe vetë ish-presidenti Stevo Pendarovski, i cili pranoi se gjatë ndërtimit të koalicioneve politike përdoren forma kontrolli dhe presioni që nuk kanë lidhje me demokracinë.
Atëherë, si t’i besojë qytetari këtij shteti, kur politika mbahet gjallë me dosje dhe drejtësia shantazhohet?
Si t’i besojë qytetari një politikani me dosje kriminale, që flet paturpësisht për demokraci,
kërkon shtet ligjor dhe predikon drejtësi, ndërsa duart i ka të papastra?
Një shtet me sistem të shantazhuar mund t’i mbajë peng politikanët. Mund të frikësojë prokurorë dhe të blejë heshtje.
Por nuk mund t’i heshtë pafundësisht qytetarët, intelektualët e studentët, sepse ata nuk kanë dosje.
Kanë vetëm zërin.
Dhe zëri i lirë është gjithmonë armiku më i madh i çdo sistemi që mbahet gjallë me dosje dhe frikë.

