Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas miratimit të projekt-rezolutës për procesin e integrimit evropian në Kuvendin e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një akt të rëndësishëm bashkëpunimi parlamentar.
Në deklaratën e tij, Presidenti Begaj theksoi se rezoluta përfaqëson “përgjigjen e duhur” ndaj Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe Raportit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.
“Kjo rezolutë shënon qasjen e vetme të drejtë: qasjen e bashkëpunimit, kompromisit dhe konsensusit për arritjen e këtij objektivi strategjik kombëtar”, u shpreh Begaj.
Ai shtoi se dokumenti është “dëshmi e pakundërshtueshme e një politike serioze dhe të përgjegjshme, të fokusuar plotësisht në agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social”.
Presidenti Begaj përfundoi duke përshëndetur “këtë akt të çmuar të bashkëpunimit parlamentar”.Miratimi i rezolutës me 114 vota pro dhe 1 abstenim dje në Kuvend u konsiderua si një nga rastet e rralla të konsensusit politik mes mazhorancës dhe opozitës për çështjet e integrimit evropian.
Postimi i plotë i presidentit Begaj:
Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE është përgjigjja e duhur ndaj Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe ndaj Raportit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.
Kjo rezolutë shënon qasjen e vetme të drejtë: qasjen e bashkëpunimit, kompromisit dhe konsensusit për arritjen e këtij objektivi strategjik kombëtar.
Ajo është dëshmi e pakundërshtueshme e një politike serioze dhe të përgjegjshme, të fokusuar plotësisht në agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social. Përshëndes këtë akt të çmuar të bashkëpunimit parlamentar.

