Studentët shqiptarë në Shkup kanë paralajmëruar protestë të re që do të mbahet nesër, më 18 maj 2026, në orën 16:30, para Urës së Gurit, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe.
Protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zë”, ndërsa mesazhi kryesor është mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.
Kjo protestë vjen në vazhdën e disa reagimeve dhe tubimeve të mëparshme të studentëve, të cilët prej kohësh kërkojnë zgjidhje institucionale për mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në protestat e mëparshme, ata kanë ngritur shqetësimin për mungesën e barazisë gjuhësore në proceset e kualifikimit profesional dhe kanë kërkuar nga institucionet përgjigje konkrete.
Studentët theksojnë se pavarësisht protestave të deritanishme, kërkesat e tyre nuk janë adresuar plotësisht, ndaj vijojnë me organizimin e tubimeve të reja për të rritur presionin publik dhe institucional.
Sipas njoftimit, protesta e nesërme do të zhvillohet në mënyrë paqësore, me thirrje për dialog dhe zgjidhje të qëndrueshme të çështjes nga institucionet përgjegjëse /Zhurnal.mk .

