“Dikur Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës”, Rama në Seul: Fatet e kombeve marrin formë nga zgjedhjet që bëjmë

by Nexhat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një fjalim në Konferencën Aziatike të Lidershipit në Seul, ku ka folur për historinë, zhvillimin, lidershipin dhe transformimin e kombeve, duke sjellë në vëmendje edhe rrugëtimin e Shqipërisë nga izolimi drejt integrimit europian.

Në nisje të fjalës së tij, Rama u shpreh se ndihej “thellësisht i privilegjuar” që ndodhej në Seul, qytet që e kishte vizituar për herë të parë më shumë se dy dekada më parë, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.

banner

“Koreja është dëshmi se historia ka rëndësi, por e vetme historia nuk e vendos dot fatin”, tha Rama, duke theksuar se gadishulli korean është ilustrimi më i qartë se fatet e kombeve formësohen nga zgjedhjet politike dhe shoqërore.

Ai solli në vëmendje kontrastin mes dy Koreve, duke e cilësuar Korenë e Jugut simbol të ripërtëritjes përmes demokracisë, hapjes dhe inovacionit, ndërsa Korenë e Veriut emblemë të izolimit dhe sundimit përmes frikës

Rama e lidhi këtë kontrast edhe me të kaluarën e Shqipërisë, duke kujtuar se vendi ynë është cilësuar dikur si “Koreja e Veriut e Europës”.

“Shqipëria ishte ‘Koreja e Veriut e Europës’, por sot po ecën në një rrugë tjetër, një rrugë ndërtimi institucionesh, modernizimi demokratik dhe integrimi drejt Bashkimit Europian”, deklaroi ai.

Kryeministri ndaloi gjithashtu te transformimi ekonomik i vendeve aziatike, duke përmendur Japoninë, Singaporin, Tajvanin, Malajzinë dhe Tajlandën si shembuj të zhvillimit përmes pragmatizmit dhe bashkëpunimit.

Duke iu referuar reformave të Kinës nën Deng Xiaoping, Rama kujtoi shprehjen e famshme: “Nuk ka rëndësi se ç’ngjyrë është macja për aq kohë sa kap minj”, duke theksuar se “Shqipëria i mbeti besnike doktrinës, ndërsa Kina zgjodhi pragmatizmin dhe historia eci me Kinën”.

Në fjalimin e tij, Rama vlerësoi edhe modelin e bashkëpunimit në Azi, duke thënë se organizatat rajonale nuk lindën nga njëshmëria, por nga bindja se bashkëpunimi është më i fortë se përballja.

Ai foli edhe për konceptin e lidershipit, duke e përshkruar atë si aftësinë për të ecur përpara në kushte pasigurie dhe presioni.

“Lidershipi i vërtetë nuk i përket spektatorit që gjykon nga distanca, por atyre që hyjnë në arenë dhe guxojnë të veprojnë”, u shpreh Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe një proverb korean sipas të cilit “pas shiut dheu forcohet”, duke e lidhur me mënyrën se si Koreja e Jugut arriti të transformojë vështirësitë historike në forcë dhe zhvillim.

Në fund të fjalimit, Rama përmendi edhe arritjen ekonomike të Koresë së Jugut, që sipas tij ka tejkaluar Japoninë në Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, duke e cilësuar këtë si dëshmi të kapacitetit të një kombi për të shndërruar “dhimbjen në forcë dhe traumën historike në ambicie kolektive”.

“E nëse Koreja mundi ta bëjë, atëherë askush nuk ka të drejtë të thotë se nuk mund të bëhet”, përfundoi Rama

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy