Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dënuar keqpërdorim e flamurit me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në akte vandalizmi, gjatë protestës në Tiranë.
Organizata u ka bërë thirrje të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave, që të ruajnë dinjitetin dhe shenjtërinë e këtij simboli.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon çdo keqpërdorim të flamurit me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në akte vandalizmi.
Ky simbol përfaqëson Luftën Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit dhe lirinë e fituar nga kjo sakrificë. Si i tillë, kurrë nuk mund të përdoret për të justifikuar, identifikuar apo fshehur veprime që dëmtojnë pronën publike apo private.
Çdo qytetar ka të drejtën e protestës, por asnjë pakënaqësi, sado e thellë të jetë, nuk i jep të drejtë askujt ta lidhë flamurin e UÇK-së me dhunën, shkatërrimin dhe plaçkitjet. U bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave, të ruajnë dinjitetin dhe shenjtërinë e këtij simboli”, thuhet në reagim.

