‘‘Problemet pas 100 eurove’’, Cakolli për vendimin e qeverisë: Përdorim i qartë i parasë për efekt elektoral

by Nexhat

Eugen Cakolli nga KDI, është deklaruar rreth vendimit të qeverisë për ndarjen e 100 eurove për disa kategori. Në postimin e tillë, Cakolli e ka vlerësuar vendimin e qeverisë, si një ‘’prej formave më të qarta të përdorimit të parasë publike për efekt politik dhe elektoral’’.

Tutje, ai ka thënë edhe se s’bëhet fjalë për një numër simbolik njerëzish, por, ‘’për rreth 900 mijë, e mbase edhe mbi 1 milionë qytetarë’’.

banner

‘’ Ndonëse në debatin publik po tentohet të shmanget thelbi i problemit, kjo po bëhet me një qëllim të thjeshtë. Diskutimi po zvogëlohet qëllimisht te pyetja nëse qytetarët duhet të marrin apo jo ndihmë financiare nga shteti. Kjo bëhet vetëm për ta anatemuar secilin që flet kundër shpërndarjes së parave për vota. Është një përpjekje e hapur për ta delegjitimuar çdo kritikë, duke i paraqitur gjoja si qëndrime të dikujt që po dëshiron që populli të mos marrë para’’, ka shkruar ai.

Postimi:

PROBLEMET PAS 100 EUROVE

Vendimi i Qeverisë në detyrë për të shpërndarë nga 100 euro për kategori të ndryshme të qytetarëve pikërisht në kulmin e parafushatës zgjedhore është një prej formave më të qarta të përdorimit të parasë publike për efekt politik dhe elektoral.

Dhe këtu nuk po flasim për një numër simbolik njerëzish. Po flasim për rreth 900 mijë, e mbase edhe mbi 1 milion qytetarë që preken drejtpërdrejt nga ky vendim. Praktikisht, ky numër e tejkalon edhe numrin e votuesve që dalin në zgjedhje në Kosovë.

Ndonëse në debatin publik po tentohet të shmanget thelbi i problemit, kjo po bëhet me një qëllim të thjeshtë. Diskutimi po zvogëlohet qëllimisht te pyetja nëse qytetarët duhet të marrin apo jo ndihmë financiare nga shteti. Kjo bëhet vetëm për ta anatemuar secilin që flet kundër shpërndarjes së parave për vota. Është një përpjekje e hapur për ta delegjitimuar çdo kritikë, duke i paraqitur gjoja si qëndrime të dikujt që po dëshiron që populli të mos marrë para.

Në fund të fundit, nuk mund të kontestojë se shumë qytetarë në Kosovë po përballen me vështirësi reale ekonomike. Ndihma sociale, në parim, është legjitime dhe e nevojshme. Por, kriza ekonomike, rritja e çmimeve dhe vështirësitë sociale nuk kanë filluar para disa ditësh. Këto probleme kanë vite që ekzistojnë. Një qeveri përgjegjëse do të kishte hartuar një skemë më të qëndrueshme mbështetjeje sociale gjatë gjithë mandatit, jo një shpërndarje të njëhershme në prag të zgjedhjeve. Prandaj, çështja kryesore nuk është nëse qytetarët meritojnë mbështetje, por momenti, mënyra dhe konteksti politik në të cilin po jepet kjo ndihmë

Në terren ka muaj që zhvillohet (para)fushatë. Ka mobilizim partiak, propagandë, kalkulime elektorale dhe betejë për perceptim publik çdo ditë. Fakti që fushata zyrtare fillon më 29 maj nuk e ndryshon realitetin politik që po zhvillohet para syve të secilit prej nesh tash e sa kohë.

Dhe kur një qeveri në detyrë shpërndan dhjetëra apo mbase qindra miliona euro në kulmin e kësaj periudhe, duke prekur drejtpërdrejt pothuajse secilën familje në vend, atëherë ndikimi elektoral është i pashmangshëm.

Pikërisht për këtë arsye standardet demokratike dhe organizata si ODIHR e trajtojnë përdorimin e resurseve shtetërore gjatë periudhave zgjedhore si një prej problemeve më serioze të integritetit zgjedhor. Sepse zgjedhjet nuk deformohen vetëm te kutia e votimit, por edhe kur pushteti përdor kapacitetin financiar të shtetit për të ndikuar atmosferën politike dhe sjelljen e votuesve përpara ditës së votimit.

Dhe po, secila qeveri do të tundoheshe ta përdorte paranë publike për përfitim politik po të mos ekzistonin kufizime ligjore, standarde demokratike dhe presion publik. Pikërisht këto ekzistojnë për ta mbrojtur dallimin mes shtetit dhe partisë. Prandaj edhe në rastin tonë problemi nuk mbaron vetëm tek impakti i vendimit.

Edhe më e rrezikshme është kultura politike që po tentohet të ndërtohet rreth tij. Ideja që ligji, kufizimet dhe standardet demokratike mund të shtyhen anash përderisa pushteti arrin ta justifikojë vendimin me “qëllim të mirë”.

Kjo është logjikë shumë e rrezikshme për çdo demokraci. Sepse sistemet demokratike nuk rrënohen nga një shkelje e vetme. Ato degradojnë kur pushteti beson se mund të bëjë përjashtime, kur është në interes të qytetarëve.

E kur ndarja mes shtetit dhe ligjit zbehet, dhe shoqëria pajtohet në heshtje me këtë kulturë, atëherë pushteti nuk ka më nevojë t’i respektojë kufijtë ligjorë; mjafton t’i paketojë shkeljet me mjaftueshëm emocion, mjaftueshëm patriotizëm apo mjaftueshëm “kujdes për qytetarin” që gjithçka të duket e arsyeshme

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy